Të hënën Ferizaj u trondit nga një rast i rëndë.
Një burrë i ka therur me thikë katër persona, në mesin e tyre dy vajza të mitura.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe drejtori i Organizatës Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve, Isak Skenderi.
Skenderi në reagimin e tij bëri thirrje që të zbardhet qëllimi pas këtij krimi.
“Autoritetet ta kualifikojnë saktë këtë akt. Çdo jetë ka vlerë, dhe qëllimi pas këtij krimi duhet të zbardhet dhe ndëshkohet përkatësisht. Kryetari i Komunës së Ferizajt konfirmoi se sulmuesi u arrestua pas sulmeve, por eshte thelbersore që motivet e tij të hetohen në detaje, duke marrë parasysh çështjen e qartë që kemi përballë – kur viktimat “e rastësishme” i përkasin një grupi të vetëm etnik, duhet të pyesim pse”, tha Skenderi.
Ai dyshon se kjo ngjarje është e movituar në aspektin etnik.
“Incidenti i fundit në Ferizaj, ku dy vajza të mitura dhe dy burra nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian u sulmuan barbarisht me thikë, ka tronditur shoqërinë tonë. Ky akt dhune nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet. Për më tepër, natyra e tij e vërtetë nuk duhet të relativizohet. Sipas raporteve të para, sulmuesi sulmoi kalimtarët te rastit, por të gjithë viktimat i përkasin këtyre komuniteteve minoritare. Një model i tillë sugjeron diçka më të thellë dhe shumë më shqetësuese: nje krim me motivim etnik i nxitur nga urrejtja”, tha ai.
“Ky nuk është krimi i parë i urrejtjes në shoqërinë tonë, që synon komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Për një vend kaq të vogël, jemi të mbushur me shumë incidente të motivuara nga paragjykimi etnik dhe intoleranca e thellë. Historia ka treguar se Romët dhe komunitetet e tjera janë mbajtur të margjinalizuar, të mbajtur poshtë në kushte degraduese për të ruajtur sistemet e shfrytëzimit social. Eshtë e pabesueshme qe kjo vazhdon të shfaqet edhe sot – kur komunitetet përdoren si shpërthyes të mllefit dhe urrejtjes. Ne një shoqëri demokratike, moderne si Kosova, jo çdo qytetar ndihet i sigurt, i vlerësuar dhe i respektuar”, theksoi ndër të tjera Skenderi.