Sht. Nën 23rd, 2024

“Thyhet heshtja”/Nga AKR tregojnë qëndrimin e tyre për “Ballkanin e Hapur”, përmendin edhe të rejat për zgjedhjet lokale

Kosova gjendet pranë zgjedhjeve lokale dhe partitë politike janë mobilizuar për të krijuar afërsi me qytetarët dhe duke ju premtuar se do të sjellin ndryshime në vend.

Nga zgjedhjet e 14 shkurtit dimë që LVV doli të jetë fituese me një fitore të thellë që la pas vetës partitë e tjera politike.

Por e njëjta nuk po pritet të ndodhë në zgjedhjet lokale që priten të ndodhin në tetor të këtij viti.

ImageKëshilltari i kreut i AKR-së, Naim MurseliFOTO GALERI
Në lidhje me zhvillimet e fundit në vend ka folur këshilltari i kreut të AKR-së, Naim Murseli.

Murseli në një intervistë ekskluzive me “Bota sot” u shpreh se AKR pret të del fituese në këto zgjedhje dhe se nuk do të përsëritet ngjarja e fundit e zgjedhjeve.

Ai shton se AKR është duke punuar mjaftueshëm për vendin dhe se shumë shpejt do të kenë edhe emrat kandidatë për kryetar komunash, përveç Selim Pacollit i cili veçse do të jetë kandidatë për komunën e Prishtinës.

Së bashku me këshilltarin e Pacollit biseduam edhe për ngjarjet e fundit në vend, kështu duke mos lënë anash projektin e fundit “Ballkani i Hapur”, e për të cilin Murseli mendon që nuk mund të dëmtoj Kosovën.

Sipas Murselit, Kurti do të duhej të ishte përkrahë Ramës dhe të mbështetë këtë projekt. Ndërsa kur u pyet për qëndrimin konkret të Pacollit në lidhje me këtë temë, ai u shpreh se për Pacollin ka rëndësi lëvizja e lirë e mallrave dhe qytetarëve.

Duke vazhduar ai shton se Pacolli nuk dëshiron të sheh rivalitet mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjithashtu për qeverisjen e Kurtit në këta muaj ai shprehet se shpreson të sjellë një marrëveshje finale me Serbinë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend?

Naim Murseli: Situata politike në Kosovë varet shume nga qasja e Qeverisë, e cila për fat keq nuk është duke bashkepunuar mjaftueshëm me Opozitën në temat kyçe për vendin. Dështimet deri tani janë të mëdha saqë mund të thuhet se Qeveria në këto muaj nuk ka bërë asgjë!

“Bota sot”: Në çfarë gjendje është momentalisht AKR-ja, pasi po shohim një heshtje përkundër zhvillimeve në vend?

Naim Murseli: Aleanca Kosova e Re vazhdon aktivitetet e saj politike, degët janë funksionale dhe të koordinuara.

“Bota sot”: Z. Murseli, tashmë në tetor priten të mbahen zgjedhjet lokale në vend, cilat janë pretendimet e AKR-së në këto zgjedhje?

Naim Murseli: AKR ka kandidatin e saj për Kryetar të Prishtinës, z. Selim Pacolli, i cili ka dëshmuar aftësinë e tij për të udhëhequr me një qytet si Prishtina. Ne garojmë për vendin e parë, dhe ashtu janë pritjet tona. Në komunat tjera ne garojmë me listat e asambleistet të cilët i përkasin gjeneratës së re, me njerëz të dijshëm dhe punëtorë.

“Bota sot”: Duke qenë tek zgjedhjet lokale, ju si parti ende nuk keni zyrtarizuar kandidatët për kryetar komunash, kur pritet të ndodhë kjo?

Naim Murseli: Së shpejti do të dalin edhe emrat e kandidatëve të asamblestive në të gjitha komunat e aty ku kandidojmë edhe për postin e kryetarit, do të dalim edhe me emrat e tyre.

“Bota sot”: A do të hyjë AKR në zgjedhjet lokale si parti e vetme apo koalicion me ndonjë parti tjetër politike?

Naim Murseli: Ne do të garojmë si parti e vetme por në disa raste edhe duke mbështetu kandidatët e partive të afërta me AKR-në.

“Bota sot”: Qeveria Kurti që nga shkurti ka filluar qeverisjen e saj, sa ka arritur të sjellë ndryshime në vend përgjatë kësaj kohe?

Naim Murseli: Ndryshimet të cilët janë pritur nuk po shihen, qytetarët duan punë, lëvizje të lirë dhe perspektivë të mirë për fëmijët e tyre. Mendoj se zhgënjimi vetëm ka filluar. Nuk është riparuar asnjë metër e infrastrukturës së shkatërruar nga vërshimet. E lërë më projektet e reja, natyra po shkatërrohet çdo ditë e më shumë, malet po prehen e Kosova po zhytet edhe më thellë në mbeturina.

“Bota sot”: Një temë me rëndësi mbetët dialogu Kosovë-Serbi, si e komentoni përformancën e Kurtit? A është afër marrëveshja finale mes dy vendeve?

Naim Murseli: Është mirë që z. Kurti e ka kuptuar rëndësinë e dialogut, dhe që Kosova nuk do ketë një ardhme më të mirë pa e mbyllur këtë kapitull. Shpresoj të sjellë rezultate! Tani ekziston rreziku se Kurti mos po dialogon më shumë se duhet!!!

“Bota sot”: Së fundmi është finalizuar edhe projekti “Ballkani i Hapur”, mes Ramës, Vuçiqit dhe Zaev-it, si e shihni bashkëpunimin e Ramës në këtë projekt? A do të duhej Rama të ishte përkrahë Kurtit e jo Vuçiqit?

Naim Murseli: Kryeministri Rama ka ftuar edhe z. Kurti në këtë nismë, dhe nuk mendoj se ka rrezik politik për Kosovën nga ky projekt. Kurti duhet përkrahë Rames e jo ashtu si ju pyetni. Pa apo me Kurtin po e shihni se Serbia po dominon edhe më tepër me mallrat e tyre dhe me lëvizjen e qytetarëve të tyre nëpër Kosovë, ashtu siç u kishte premtuar qytetarëve të vet.

“Bota sot”: Cili është komenti i AKR-së dhe Behgjet Pacollit për “Ballkanin e Hapur” pasi që, kjo ka të bëjë me lëvizjen e lirë të mallrave, dhe z. Pacolli i cili është një ndër biznesmenët më të mëdhenj në rajon e më gjerë, çfarë mendimi ka ai për këtë përderisa drejton një parti politike e cila që nga themelimi i saj pothuajse gjithmonë ka qenë në pushtet?

Naim Murseli: Për z. Pacolli është me rëndësi të funksionon lëvizja e lirë të mallrave, që të mos ndikohen bizneset e vendit tonë, duke pasur parasysh papunësinë e madhe, dhe nevojën për zhvillim. Politikisht Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinohen sa më shumë të jetë e mundur. Zoti Pacolli nuk donë të shoh rivalitet mes Kosovës dhe Shqipërisë duke e ditur se kjo shkon në dëm të Kosovës dhe kjo e favorizon Vuçiqin dhe Serbinë. Kurti me refuzimin e tij nuk e dëmton Ramën por Kosovën prandaj këto rivalitete duhet të lihen anash e të punohet së bashku me Shqipërinë e cila është e etabluar si shtet dhe po ecën me hapa gjigantë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *