Mër. Tet 30th, 2024

Tre të vdekur në Shqipëri nga moti i keq

Moti i keq që ka goditur vendin gjatë 24 orëve të fundit ka shkaktuar mjaft probleme me lëvizjen, furnizimin me energji elektrike si edhe ka detyruar KESH-in të rrisë shkarkimet nga kaskada e Drinit, ndërkohë që janë shënuar edhe dy jetë të humbura.

Siç raportoi më herët abcnews.al, babë e bir humbën jetën gjatë mesditës së sotme në Shkrel të Malësisë së Madhe teksa uji i rrëmbyeshëm mori para makinën e tyre duke mos u dhënë asnjë shans shpëtimi.

Në makinë ndodhej edhe vajza e familjes, por policia bën me dije se ajo ka mundur të dalë prej mjetit për shkak edhe të ndihmës së dhënë nga banorët e zonës.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësisë e Madhe kanë marrë informacion se në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, Malësi e Madhe, rrjedha e ujit të përroit kishte marrë përpara një automjet me të cilin udhëtonin tre persona, banorë të zonës. (babai, djali dhe vajza).

Në momentin që rrjedha e ujit ka marrë përpara automjetin që drejtohej nga shtetasi P. R., rreth 50 vjeç, vajza ka mundur të dalë dhe është ndihmuar nga një banor i zonës. Vajza ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa babanë e vajzës dhe vëllanë e saj i ka marrë rrjedhja e ujit”, bën me dije policia.

Ndërkohë, vetëm pak minuta më pas, një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në Fier teksa një 60-vjeçar humbi jetën teksa ishte duke punuar në biznesin e tij, një pikë mbledhjeje skrapi në vendin e quajtur Kthesa e Patosit.

60-vjeçari sipas policisë u godit në kokë aksidentalisht nga një mjet tip pirun që shërben për lëvizjen e materialeve të rënda. Për shkak të goditjes, burri nuk ka mundur t’i shpëtojë plagës së marrë pavarësisht dërgimit në spital.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *