Udhëheqësit evropianë mbajtën një takim të jashtëzakonshëm të hënën në Paris, për të diskutuar sigurinë ukrainase dhe evropiane. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, takimi u zhvillua pas një furie hapash diplomatike të Uashingtonit, të cilat ngritën dyshime rreth përkushtimit të Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës transatlantike – themelit të sigurisë evropiane.
Hapat diplomatike të ditëve të fundit duket se kanë tronditur themelet e sigurisë evropiane. Presidenti francez Emmanuel Macron priti të hënën disa udhëheqës evropianë në Paris për bisedime të jashtëzakonshme, ndër ta edhe Kryeministrin britanik Keir Starmer.
“Ne evropianët duhet të bëjmë më shumë. Çështja e kontributit të përbashkët nuk është e re, por është tashmë urgjente. Dhe ne evropianët duhet të rrisim kontributin buxhetor dhe kapacitetet që ofrojmë”, tha kryeministri britanik.
Zoti Starmer tha se ishte i gatshëm të angazhonte forca britanike në terren në Ukrainë, nëse do të kishte një paqe të qëndrueshme.
“Duhet të ketë mbështetje amerikane, pasi garancitë e sigurisë të Shteteve të Bashkuara janë e vetmja mënyrë për t’ia ndaluar Rusisë që të sulmojë sërish Ukrainën”, tha kryeministri britanik.
Një vazhdë ndryshimesh të politikave të Uashingtonit ka transformuar përllogaritjet gjeopolitike të Evropës. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth u tha vendeve aleate në NATO javën e kaluar se Evropa duhet të japë pjesën më të madhe të ndihmës për Ukrainën, ndërsa lufton forcat ruse, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk ishin më “të përqëndruara kryesisht tek siguria e Evropës”, siç u shpreh ai.
Presidenti amerikan Donald Trump bisedoi me homologun rus Vladimir Putin, duke i dhënë fund praktikisht izolimit të Moskës. Palët ranë dakort për mbajtjen në Arabinë Saudite të bisedimeve për paqen në Ukrainë – bisedime pa përfshirjen e Ukrainës dhe Evropës.
“Po përjetojmë zhvendosje tektonike të rendit ndërkombëtar dhe një ripozicionim të fuqive të mëdha”, thotë Daniela Schwarzer, nga Fondacioni “Bertelsmann Stiftung”.
Udhëheqësit evropianë duhet të marrin disa vendime të mëdha, thotë një tjetër analiste.
“Jo vetëm për ta ruajtur, por edhe për ta shtuar mbështetjen për Ukrainën, duke qenë se është e qartë që Shtetet e Bashkuara nuk do të luajnë më rol kryesor, siç u veprua nën drejtimin e ish-Presidentit Biden. Por edhe për mbrojtjen dhe sigurinë evropiane në periudhën afatmesme dhe afatgjatë – se çfarë forme do të ketë. Pra, ka pikëpyetje të mëdha për evropianët”, thotë Armida van Rij, nga Organizata “Chatham House”.
Vetëm 23 nga 32 vendet anëtare të NATO-s kanë arritur objektivin e shpenzimeve për mbrojtjen me të paktën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që Presidenti amerikan Donald Trump kërkon që objektivi të jetë 5%.
“Kjo do të jetë një gjë vërtet e vështirë për shumë evropianë që po veprojnë në hapësira shumë të kufizuara fiskale”, thotë zonja van Rij.
Kritikat amerikane shkuan përtej çështjeve të mbrojtjes. Gjatë konferencës së sigurisë në Mynih gjatë fundjavës, Nënpresidenti amerikan JD Vance kritikoi emigracionin masiv dhe, siç tha ai, sulmin ndaj lirisë së shprehjes në Evropë.
“Rreziku për të cilin shqetësohem më shumë në lidhje me Evropën, nuk është Rusia, nuk është Kina, nuk është një tjetër faktor i jashtëm. Dhe ajo për të cilën shqetësohem është rreziku nga brenda. Tërheqja e Evropës nga disa prej vlerave të saj më themelore. Vlera që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Nënpresidenti Vance.
Këto komente u përshkruan si “të papranueshme” nga zyrtarët gjermanë. Analistja van Rij thotë se Evropa po përballet me pasojat e një toni të ri në marrëdhënien transatlantike.
“Ajo që duket si surprizë është stili me të cilin është vepruar. Janë thyer vërtet të gjitha normat, për sa i përket mënyrës se si bëhet diplomacia. Realiteti ka goditur shumë, shumë qartazi”, thotë zonja van Rij.
Një realitet me të cilin Evropa dhe Ukraina duhet të përshtaten me shpejtësi.