Ukraina ka kapur rob dy ushtarë të Koresë së Veriut në rajonin Kursk të Rusisë, njoftoi të shtunën Presidenti Volodymyr Zelenskiy. Kjo është hera e parë që Ukraina njofton se ka kapur gjallë ushtarë të Koresë së Veriut, që nga përfshirja e trupave të Phenianit në luftë vjeshtën e kaluar.
Trupa të rregullta të Koresë së Veriut hynë në luftë në krah të Rusisë në muajin tetor sipas zyrtarëve të Kievit dhe aleatëve të tij perëndimorë. Sipas vlerësimeve të tyre fillestare bëhej fjalë për 10,000 a më shumë trupa.
Në një postim në rrjetin social X, zoti Zelenskiy tha se ushtarët ishin sjellë në Kiev dhe po komunikonin me Shërbimin e Sigurisë të Ukrainës.
“Ashtu si me të gjithë robërit e luftës, këta dy ushtarë të Koresë së Veriut po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore”, tha zoti Zelenskiy. Ai shtoi se gazetarëve do t’u jepet mundësia për të biseduar me ta.
Kievi thotë se trupa të Koresë së Veriut po luftojnë në rajonin e Kurskut, ku Ukraina nisi një inkursion në muajin gusht. Po sipas Kievit, Ukraina kontrollon ende disa qindra kilometra katrorë të territorit atje. Krahas trupave, Pheniani ka furnizuar Rusinë edhe me sasi të mëdha predhash artilerie.
Ukraina ka njoftuar edhe më parë se ka kapur rob ushtarë të Koresë së Veriut, por ata kishin vdekur menjëherë, për shkak të plagëve të marra në luftime.