Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka vazhduar monitorimin e ujit të pijshëm të ujësjellësit rajonal KRU “Prishtina” që vjen nga liqeni i Badovcit, pas rishfaqjes së vlerave të larta të Manganit, javën që shkoi.
Gjatë analizavë të kryera gjatë ditëve të vikendit, vërehen ulje e vlerave të Manganit.
Megjithatë, këto vlera ende janë më të larta se sa vlerat e lejuara sipas Udhëzimit administrativ Ne: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.
Sipas këtij udhëzimi, standardi i paraparë për vlerat e lejuara të Manganit në ujin e pijshëm është 0.05 mg/L.
Ndërsa, sipas analizave të kryera ditëve të vikendit, vlerat më të larta të regjistruara sillen prej 0.102 – 0.0230 mg/L.
Ekipet e IKSHPK-së vazhdojnë të monitorojnë ujin e pijshëm nga Liqeni i Badovcit edhe gjatë ditëve në vijim.
Ndërkohë, mbetet në fuqi rekomandimi që uji që vjën nga ky liqen të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale.
Ju rikujtomë se Mangani konsiderohet një lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, duke përfshirë metabolizmin e aminoacideve, kolesterolit, glukozës dhe karbohidrateve, në formimin e kockave, mpiksjen e gjakut dhe reduktimin e inflamacionit, por në vlera të shtuara në ujin e pijshëm, sillet si ndotës dhe ka ndikim të dëmshëm në shëndet, e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeçe nëse përdoret për një kohë më të gjatë.
Duke pasur parasysh që vlerat e Mangabit ende janë të larta, mbesin në fuqi rekomandimet e dhëna për KRU “Prishtina” që:
Të kontrollohet procesi i dezinfektimit në mënyrë që vlera e klorit (Cl) rezidual të jetë 0.1-0.2mg/L;
Të përcillet ndotja organike (TOC) në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndares;
Të zbatohen procedurat standarde për trajtimin e ujit në situata si kjo;
Të bëhet shpërlarja e rrjetit shpërndarës magjistral dhe segmenteve të vogla;
Të sigurohet ujë higjienik për pije për qytetarët.
IKSHPK njofton se është në bashkëpunim të vazhdushëm me KRU “Prishtina” për të monitoruar dhe ndërmarrë veprimt e nevojshme për tejkalimin e situatës së krijuar si pasojë e “fenomenit” të Manganit në ujin e pijes.