Die. Nën 10th, 2024

Vazhdon seanca në DHSK në Hagë ndaj Thaqit,Veselit Selimit dhe Krasniqit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon marrja e dëshmisë së dëshmitarit të 66-të të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) i cili mbanë kodin W04230 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe është duke dëshmuar për herë të parë lidhur me këtë rast. Pra, dëshmia e tij është duke u marrë viva—voce që i bie që ai s’ka dëshmuar gojarisht më herët.

Përpara kësaj, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III pyeti avokatin e Thacit, Luka Mishetiq nëse dëshironte t’i bënte disa parashtrime në këtë mëngjes. Ndërsa, ai pohoi dhe kërkoi për këtë gjë seancë privat e që seanca nuk u hap deri më tani për publikun.

Ky dëshmitar e filloi dëshminë e tij ditën e djeshme dhe pritet që të zgjasë në total rreth tetë orë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *