Enj. Pri 17th, 2025

Vendimi i MINT-it për rregullimin e çmimit të naftës, Berjani: Do t’i shkatërrojë bizneset

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar vendim për rregullimin e çmimeve dhe vendosjen e masave të tjera mbrojtëse, për produktet e naftës të përdorshme në transport.

Në njoftim thuhet se ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të produkteve të naftës, ku si rezultat është evidentuar se, ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi reflektohen menjëherë në rritje të çmimeve shitëse në tregun vendor, por jo edhe kur bien çmimet furnizuese nga importi të produkteve të naftës.

Sipas këtij vendimi, përcaktohet, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë në 2 eurocentë për litër dhe marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë në dymbëdhjetë eurocentë për litër.

Por me këtë vendim nuk po pajtohen naftëtarët.

Kryetari i Shaqatës së Naftëtarëve të Kosovës Fadil Berjani ka thënë për Indeksonlinen se vendimi i MINT-it është një vendim i gabuar i cili i shkatërron bizneset.

“Vendimin të cilin e ka nxjerr MINT-i është shumë gabim dhe i paqëlluar. Ju e dini se unë kam qenë shumë transparent, kur ka pas vendime të sakta. Ky vendim është i paarsyeshëm dhe pa u konsultu me Shoqatën e Naftëtarëve. Vendim i gabuar me ketë vendim i shkatërron bizneset. Kompanitë e mëdha mundet vetëm me i lodh pak, por kompanitë e mesme dhe te vogla mundet apo është qëllimi me i bankrotu”, thotë Berjani.

E sa i përket uljes së çmimit të derivateve të naftës në nivel global pas vënies së tarifave nga Trumpi, Berjani thotë se rënia e çmimit të naftës për 4 centë në Kosovë, është si pasojë e uljeve të tarifave nga Trumpi dhe jo nga vendimi i gabuar i MINT-it.

“Ka ndryshim në çmim ka 4 centë. Tarifat e Trumpit e kanë ulë çmimin, jo vendimi i gabuar i MINT-it. Për gjendjen ekonomike çfare kemi në Kosovë, çmimi real kishte me qenë 1 euro. Po kjo nuk varet nga qeveria dhe as nga Shoqata e Naftëtarëve, po varet nga bursa dhe organizata prodhuese OPEC”, thotë Berjani.

Ndryshe çmimet në tregun kosovar përafërsisht sillen: Diesel 1.18 centë deri 1.29 centë, Benzina 1.19 centë deri 1.28 centë. Ndërkaq çmimet e derivateve në Shqipëri, dieseli 1.89 centë dhe benzina 1.88 centë.

Ndërkaq në Serbi dieseli 1.78. centë dhe benzina 1.79 centë.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *