Sht. Nën 23rd, 2024

Vrasja në Podujevë: Caktohet masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit Arsim Syla

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Arsim Syla, nga fshati Gllamnik, i dyshuar për vrasjen e rëndë që ndodhi të hënën në Podujevë.

Syla, bashkë me një të mitur që akoma nuk është identifikuar nga Policia e Kosovës, dyshohen për vrasjen e Valmir Breznicës, 34-vjeç.

Sipas njoftimit, “Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.S dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit A.S dhe ka vlerësuar se është përmbushur kriteri nga neni nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si kusht i veçantë për caktimin e paraburgimit, ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, ndikimi në dëshmitarë si dhe pesha e rëndë e veprës penale, andaj konstatoi së masa e paraburgimit në këtë fazë të procedurës penale është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale”.

“Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës.

Sipas dëshmitarëve, Breznica u privua nga jeta në sy të djalit të tij 4-vjeçar në një market në Podujevë, teksa i mbeti e plagosur gruaja.

Dyshimet e para janë se vrasja u krye në bashkëkryerje. Dorasi dyshohet të jetë një i mitur, teksa Arsim Syla ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.

Gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me katër karikatorë dhe gjashtëdhjetë e dy fishekë, një pushkë gjuetie me dylbi, njëzet fishekë, dy antiplumba dhe një veturë me targa të huaja.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *