Pre. Nën 22nd, 2024

Vriten 7 punonjës humanitarë në një sulm ajror izraelit në Gaza

Qytetarë nga Australia, Britania dhe Polonia ishin në mesin e shtatë personave që punonin për organizatën World Central Kitchen të kuzhinierit të famshëm Jose Andres, të cilët u vranë në një sulm ajror izraelit në Gazën qendrore.

Punonjësit, në mesin e të cilëve palestinezë dhe një me shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe kanadeze, po udhëtonin me dy makina të blinduara me logon e WCK-së dhe një automjet tjetër, thuhet në një komunikatë të grupit.

Pavarësisht bashkërendimit të lëvizjeve me Forcat Mbrojtëse të Izraelit, autokolona u godit ndërsa po dilte nga magazina e saj në Deir al-Balah, pasi shkarkoi më shumë se 100 tonë ndihma ushqimore humanitare të sjella në Gaza nga deti, thuhet në njoftim.

“Ky nuk është vetëm një sulm kundër WCK-së, ky është një sulm ndaj organizatave humanitare që shfaqen në situatat më të rënda ku ushqimi përdoret si armë lufte”, tha Erin Gore, shefi ekzekutiv i organizatës World Central Kitchen.

“Kjo është e pafalshme”, tha ai.

World Central Kitchen is devastated to confirm seven members of our team have been killed in an IDF strike in Gaza. Read our full statement on the loss of our team members here: https://t.co/gsijamzfMU pic.twitter.com/PtQCxX5XrW

— World Central Kitchen (@WCKitchen) April 2, 2024
Ushtria izraelite tha se po kryente një hetim të plotë në nivelet më të larta, për të kuptuar rrethanat e atij që e quajti një incident tragjik.

“Forcat Mbrojtëse të Izraelit po bëjnë përpjekje të mëdha për të mundësuar dërgimin e sigurt të ndihmave humanitare dhe ka punuar ngushtë me WCK-në në përpjekjet e saj jetike për të ofruar ushqim dhe ndihmë humanitare për popullsinë në Gaza”, thuhet në një njoftim të ushtrisë izraelite.

Jose Andres, i cili filloi punën e WCK-së në vitin 2010 duke dërguar kuzhinierë dhe ushqime në Haiti pas një tërmeti, më herët tha se ishte zemërthyer dhe i pikëlluar për familjet dhe miqtë e atyre që humbën jetën.

Izraeli “duhet t’i jap fund kufizimit të ndihmës humanitare, t’u jap fund vrasjeve të civilëve dhe punonjësve të ndihmës dhe të ndalojë përdorimin e ushqimit si armë…”, shkroi ai.

Në një deklaratë, grupi islamik Hamas tha se sulmi kishte për qëllim terrorizimin e punonjësve të agjencive ndërkombëtare humanitare, duke i penguar ata në misionet e tyre.

Kryeministri australian Anthony Albanese, konfirmoi vdekjen e punonjëses 44 vjeçare të ndihmës, Lalzaëmi “Zomi” Frankcom dhe tha se qeveria e tij ka kontaktuar Izraelin për të kërkuar që autorët të mbahen përgjegjës.

“Kjo është një tragjedi njerëzore që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë, që është plotësisht e papranueshme dhe Australia do të kërkojë përgjegjësi të plotë”, tha ai në një konferencë shtypi të martën.

Kryeministri Albanese tha se civilët e pafajshëm dhe punonjësit humanitarë duhet të mbrohen dhe përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza dhe për më shumë ndihma.

“Ne jemi zemërthyer dhe thellësisht të shqetësuar nga sulmi që vrau punonjësit e ndihmës të WCK-së në Gaza”, shkroi në rrjetet sociale zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Adrienne Watson.

“Punonjësit e ndihmës humanitare duhet të mbrohen pasi ata ofrojnë ndihma që nevojiten dëshpërimisht dhe ne i bëjmë thirrje Izraelit të hetojë me shpejtësi atë që ndodhi”, shkroi ajo

We are heartbroken and deeply troubled by the strike that that killed @WCKitchen aid workers in Gaza. Humanitarian aid workers must be protected as they deliver aid that is desperately needed, and we urge Israel to swiftly investigate what happened.

— Adrienne Watson (@NSC_Spox) April 2, 2024
.

WCK-ja tha se po pezullonte menjëherë operacionet e saj në rajon dhe do të merrte vendime së shpejti për të ardhmen e punës së saj.

Organizata ofron ndihmë dhe përgatit ushqime për njerëzit në nevojë. Ajo tha muajin e kaluar se kishte shërbyer më shumë se 42 milionë racione në Gaza për 175 ditë.

Që nga fillimi i veprimtarisë në vitin 2010, organizata ka shpërndarë ushqime për komunitetet e goditura nga fatkeqësitë natyrore, refugjatët në kufirin e Shteteve të Bashkuara, punonjësit e kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë COVID-19 dhe në zonat e konflikteve në Ukrainë dhe në Gaza.VOA

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *