Die. Nën 24th, 2024

VV-ja kërkon zgjerim të hetimit për punësimet në MPJD, kundërshtohet nga opozita

Lista e dokumentacionit të propozuar nga deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi për vitet përfshirëse te hetimit ne rastin e dokumentacionit të menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ngjalli debate të shumta mes pozitës dhe opozitës gjatë mbledhjes së komisionit hetimor parlamentar.

Derisa pozita kërkoi që në vitet e hetimeve të përfshiheshin edhe vitet tjera, opozita ishte këmbëngulëse që periudha hetimore të ishte ashtu siç ishte propozuar nga deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi, me vetëm 2021-2023.

Deputeti i pushtetit, Haxhi Avdyli kërkoi qe te zgjerohej periudha viteve te dokumentacionit duke thënë se hetimet duhet bërë në transparencë.

“Çka ka të keqe me zgjeru periudhën e dokumentacionit, mendoj qe asgjë s’ka të keqe me i shoshit te gjitha gjerat në mënyrë transparente dhe të bëjmë një hetim të situatës. Mendoj që dokumentacioni të jetë më i gjerë e hetimet mund te na japin përtej ndonjë date të caktuar”

Por kundër këtij propozimi doli deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

“E keni ngrit dorën në këto data, nuk e shkelim ligjin, këtë e thotë rregullorja, kam kërkuar vitin 2011 sepse ata janë emëruar në këtë vit, problemi qëndron se kanë shkarkuar si grup nën vendimin e ministres Gërvalla, nuk ka mundësi me u kërku një vendim i datës 2013 a po 2016 në të cilin kam kërkuar te behet”.

Deputet i VV-së, Gazmend Gjyshinca, u shpreh këmbëngulës që lista të zgjerohet, përndryshe do të pamundësojnë funksionimin e komisionit.

“Ju a po mendoni qe jemi naiv qe datën e votimit mundemi me ndryshu a, krejt çka dua është që listën e dorëzuar të pranohen, mundem thirreni zyrtaret ligjor te kuvendit, pse lista jone qenka e papranueshme, pa qit lista të dokumenteve ky komision nuk ka me ec përpara”, tha Gjyshinca, teksa Musliu-Shoshi tha se një veprim i tillë është e pritshme nga ana e mazhorancës.

E interpretim ligjor nga Kuvendi kërkoi deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi.

“Gjuha kërcënuese nuk na ka hije, është Zyra Ligjore që mundemi me e dërgu edhe e shohim është kërkua 2021-2023, e nëse ka nevojë këtë qe ju po e kërkoni e shohim, më vjen keq për gjuhën kërcënuese qe po përdoret”, u shpreh Dumoshi.

Në votim u hodhe lista e dokumentacionit të menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e cila kaloi me te gjitha votat pro, derisa problem i saj vazhdon te jetë vitet e periudhës hetimore.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *