Lëvizja Vetëvendosje ka përkujtuar sot veprimtarin Adem Demaçi në tre vjetorin e vdekjes dhe heroin Enver Zymberi në 10 vjetorin e vdekjes.
Përmes një komunikate për media kjo parti thotë se, këto dy figura kombëtare na kujtojnë që rrita, jeta e vdekja marrin kuptimin e plotë atëherë kur bëhen me dashuri për vendin e për popullin.
“Jemi në ditë zie pas tragjedisë së djeshme në Kroaci por kujtojmë dy figura të çmueshme për shtetin e shoqërinë tonë, veprimtarin Adem Demaçi që ka përvjetorin e tretë të vdekjes, dhe heroin Enver Zymberi që sot ka dhjetë vjetorin e rënies. Me këto dy figura bëhen bashkë mendimi e ndjeshmëria për çlirimin, shtetndërtimin e zhvillimin e Republikës tonë. Këto dy figura kombëtare na kujtojnë që rrita, jeta e vdekja marrin kuptimin e plotë atëherë kur bëhen me dashuri për vendin e për popullin”, thuhet në komunikatë.
VV tregoi se për t’i kujtuar sot, me lule të freskëta, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi, Kryeministri, Albin Kurti, bëri homazhe te varret e tyre dhe takoi familjarët e heroit Enver Zymberi.
“Lavdi jetës dhe veprës së tyre dëshmorëve, martirëve, dhe gjithë veprimtarëve që dhanë gjithçka nga vetja që ne ta shijojmë lirinë!”, përfundon komunikata.