Gjatë të shtunës në orët e pasdites, policët që kanë qenë të stacionuar në veri të Kosovës, janë zëvendësuar me disa të tjerë pas dy javëve që kishin qëndruar të bllokuar në mesin e barrikadave.
Zëvendësimi i tyre është mundësuar nga misioni i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX.
Kështu kanë konfirmuar nga EULEX-i në një përgjigje për Telegrafin. Ata kanë thënë se kanë asistuar në këtë gjë, pas një kërkese që kanë pasur nga Policia e Kosovës.
“Pas një kërkese formale të Policisë së Kosovës, më 24 dhjetor, EULEX-i shoqëroi një kolonë të policëve të rregullt të Policisë së Kosovës, të cilët bënin rotacion dhe zëvendësonin policët e rregullt në stacionin policor në Leposaviq”, thuhet në përgjigjen e EULEX.
Janë bërë 16 ditë që kur grupe të serbëve, vendosen barrikada në disa rrugë në veri të Kosovës, duke kundërshtuar kështu arrestimin e ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq.
Në veri të Kosovës janë vendosur gjithsejtë 11 barrikada. Vërehet prezencë e shtuar e pjesëtarëve të KFOR-it, në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë.
Policia e Kosovës ka shtrirë pikëkontrollet e saj në drejtimin Mitrovicë-Leposaviq me qëllim të pengimit të aktiviteteve kriminale, por duke siguruar kështu edhe lëvizjen e lirë.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre edhe nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se pas Krishtlindjeve do të takohet me komandantin e KFOR-it, për të sqaruar se si do veprohet me barrikadat në veri të Kosovës.
Në një konferencë për media të shtunën, Kurti tha se Qeveria është në pritje që KFOR-i të veprojë, por “kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht”, sepse këto nuk janë barrikada civile, por “barrikada të njerëzve të uniformuar dhe të armatosur”.