Die. Nën 24th, 2024

Zhvillimet në veri nuk e ndalin dialogun, analistët paralajmërojnë rikthim të tensioneve

Të martën është mbajtur takimi trilateral në mes të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçakut, dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Pas takimit, Petkoviq ka deklaruar se janë pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, e cila, sipas tij, do të miratohet zyrtarisht në një takim të nivelit të lartë – mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë”, tha Petkoviq.

closevolume_off
Takimi në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi vjen pas situatës në veri dhe djegies së tre veturave në atë pjesë. Bashkimi Evropian ka kërkuar që situata në veri të mos ndikojë në dialog dhe siç duket nuk ka ndikuar.

Në anën tjetër, analistët politikë thonë se pa formimin e asociacionit serbët nuk do të ndalen dhe kësisoj mund të priten tensione sërish në veri.

Kërkohet rritje e presionit ndaj Serbisë

Analisti politik, Skëndër Mulliqi, thotë se minoriteti serb gëzon më shumë të drejta se çdo minoritet tjetër në botë.

ImageSkëndër MulliqiFOTO GALERI
“Serbia dhe serbët në Kosovë janë mësuar me veprimet e tyre në destabilizim të veriut të Kosovës. Ata për çudi po tolerohen qe shumë vite nga bashkësia ndërkombëtare. Krejt pas luftën në veri të Mitrovicës vepruan strukturat kriminale serbe më aktet e tyre barbare të dirigjuara nga Beogradi zyrtar, për të mbajtur Kosovën në jo stabilitet politik, dhe në mos shtrirje te sovranitetit edhe në atë pjesë të vendit, të organeve tona përkatëse. Këto struktura kriminale së bashku më grupin tjetër kriminal rus Ëagner gjuajtën më bomba, vunë barrikada në tendencë të ndarjes së veriut nga jugu. Po ashtu, rrahën dhe vranë shqiptarë edhe me uniforma policore të Kosovës, dhe të gjitha këto kaluan dhe po kalojnë nga faktori ndërkombëtar si të tolerueshme! Veriu i vendit është shndërruar në vend të kontrabandave dhe çfarëdo krimi të organizuar për shumë vite. Minoriteti serb gëzon më shumë të drejta se çdo minoritet tjetër në botën demokratike. Asnjë shtet sovran dhe i pavarur siç është edhe Kosova, nuk lejon akte të cilat e cenojnë rendin dhe ligjin”, deklaron Mulliqi.

Sipas tij, BE në vend se të adresojë kritika ndaj Serbisë dhe Listës serbe, bëjnë thirrje në përmbajtje që të mos prishet atmosfera e dialogut.

“Barrikadat e fundit të cilat u vunë në veri, e të cilat barrikada gjeten mbështetje të Borellit, Lajçakut madje edhe të dy amerikanëve, Eskobar dhe Hill, se ato do të hiqen pas bisedave politike, duke i arsyetuar në një formë apo tjetër, kanë bërë që këto struktura dhe shërbimet sekrete serbe të Vuçiqit, mos të ndalen në veprimet e tyre, sikur që është veprimi i fundit në djegien e veturave më targa të KS. Dhe, sërish BE-ja bënë thirrje dy palëve për qetësi , e jo palës së inkrimunuar serbe. Struktura e BE-së në vend që të adresojë kritika të rrepta ndaj Serbisë dhe Listës Serbe, si sponzorë të incidenteve, kanë bërë thirrje në përmbajtje që mos të prishet atmosfera e dialogut. Mua më duket së vet fakti se po vazhdohet nga Serbia në mos respektimin e marrëveshjeve të firmosura, atëherë për BE-në, është e qartë adresa së kujt duhet bërë presion”, pohon Mulliqi.

Rasti i djegies së veturave dhe të gjitha incidentet tjera në veri, sipas Mulliqit, janë si pasojë e përfitimeve politike të Beogradit.

“Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pranuan Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj, e kjo nuk po zbatohet në praktikë nga Serbia dhe nga Vuçiqi, i cili gati përditë po lëshon deklarata luftë nxitëse. Po të kishte shkelur Kosova shumë marrëveshje siç po e bënë Serbia këtë gjë rregullisht, shtrohet pyetje a thua se më çfarë reagimesh të BE-së do të ishim përballur? Sigurisht shumë të rrepta. Djegia e veturave nga serbët në veri dhe arrestimi i një personi të komunitetit serb, si i dyshuar, u shfrytëzua si pretekst nga Lista Serbe, për ta quajtur rastin” si vazhdimësi të keqtrajtimit të minoritetit serb”. Kjo u bë sigurisht më paramendim si presion para takimit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq në Bruksel. Edhe ky rast më vetura por edhe të gjitha incidentet ne veri, po shfrytëzohen për qëllime të përfitimeve politike të Beogradit , kur bëhet fjalë për dialogun për normalizim të marrëdhënieve”, thekson analisti.

Pas takimit të 4 prillit i cili ka zgjatur deri në orë të vona, Petkoviq gjithashtu ka thënë se është biseduar për asociacionin me shumicë serbe.

“Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit trepalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit”, shtoi Petkoviq.

Analistët thonë se Vuçiqi nuk heq dorë nga asociacioni dhe nuk do të ndalen pa marrë diçka.

Kërkesa për themelimin e Asociacionit

ImageBlerim BurjaniFOTO GALERI
Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se Serbia nuk do të ndalet dhe rreziku për rikthim të tensioneve në veri është sërish.

“Serbia nuk do të ndalet, rreziku është sërish të rikthehen tensionet në veri, ata i bëjnë vetë incidentet, siç ka ndodhë me djegien e veturave me targa RKS, as nuk marrin pjesë në zgjedhje lokale këtë e deklaruar Lista serbe, pra ata të shtyrë nga Serbia nuk do të pranojnë as zgjedhje, e as qetësi deri në themelimin e asociacionit të shumë pritur me vite një lloj shteti në shtet, këtë duan ata, tash prirjet e tyre janë këto”, shprehet Burjani.

Ai shton se pa formimin e asociacionit nuk do të qetësohen serbët.

“BE vetë e do këtë, sepse ka reaguar se duhet sa më parë të formohet asociacioni dhe se serbët pastaj qetësohen e kjo është gënjeshtër, serbët nuk do të ndalen asnjëherë pa marrë diçka nga Kosova. Vetë Vuçiqi e ka thënë këtë, asociacionin do ta shfrytëzojnë ose ta bëjnë komunë serbe kudo që serbët jetojnë ose shkëputje nga Kosova e në mënyrë naive perëndimi po beson se Serbia pajtohet me diçka si me asociacion në formë autonomie të shpallur me emër e kompetenca t’i kenë, pra ata përmendin kompetenca, por jo edhe emër pra, emri nuk ka nevojë të figurojë edhe fare, por kompetencat po edhe kjo është diçka e pa rregullt dhe e kundërshtueshme me kushtetutën e Kosovës”, vlerëson Burjani.

Edhe analisti Mulliqi ndan qëndrim të njëjtë.

Sipas tij, Vuçiqi nuk do të heq dorë nga Asociacioni.

“Me qëndrime të tilla destruktive të Vuçiqit , nuk ka shpresa shumë që do të kemi normalizim më të shpejt të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Vuqiqi nuk po heq dorë nga Asociacioni më kompetenca ekzekutive, apo më mirë të themi, ai po e dëshiron ndarjen e Kosovës mbi baza etnike, si diçka të pa pranueshme për Kosovën dhe shqiptarët në rajon. Kemi zotime të Anglisë dhe të Gjermanisë, por edhe të Amerikës se nuk do të këtë asociacion më pushtet të tretë. Vazhdimi i luftës në Ukrainë nga Putin, dhe arritja e fitores të një pro serbi në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, sikur ka ngjallur shpresat e Vuçiqit për Serbi të Madhe. BE-ja dhe Amerika duhet stopuar ofensivën hegjemoniste të politikave ruso-serbomëdha në rajon”, përfundon Mulliqi.

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *