Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agron Dobruna, përmes një postimi në facebook ka njoftuar se është larguar nga një konferencë rajonale e nivelit të lartë të mbajtur në Tiranë, për shkak të mënyrës së papranueshme të përfaqësimit të Republikës së Kosovës në atë ngjarje.
Dobruna, i cili ishte i ftuar të përfaqësonte Republikën e Kosovës, deklaroi se ishte i detyruar të largohej nga konferenca dhe të mos e nënshkruante Deklaratën e Angazhimit, për shkak të përdorimit të fusnotës me referencën “Rezoluta 1244 e OKB-së” – një formulim që ai e cilësoi si tërësisht të papranueshëm dhe në kundërshtim me atë që zakonisht përdoret nga Bashkimi Evropian.
“Mënyra si u trajtua përfaqësimi i Kosovës ishte thellësisht zhgënjyese dhe e papranueshme për një shtet sovran, që kontribuon në mënyrë aktive dhe të barabartë në këto procese,” ka shkruar Dobruna.
Ai theksoi se kërkesa për ta korrigjuar këtë paraqitje u injorua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, duke cenuar frymën e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë që promovon vetë konferenca.
“Kosova është një realitet i pamohueshëm ndërkombëtar. Ne jemi të përkushtuar thellësisht për të garantuar të drejtat e fëmijëve tanë dhe për të kontribuar në paqe e stabilitet në rajon, por kjo nuk mund të bëhet duke na mohuar subjektivitetin shtetëror,” ka thënë Dobruna.
Ndërsa theksoi se përdorimi i një fusnote të tillë nuk është vetëm një çështje teknike, por prek drejtpërdrejt dinjitetin kombëtar dhe respektin që Kosovës i takon, veçanërisht në një ngjarje të organizuar nga një vend mik.